Connect with us

Politike

Arlind Qori: Kush vajton për PD?

E shtuna e hunjve dhe gazit të Bashës dhe Berishës ishte jo vetëm inskenim i një beteje mesjetare, por edhe dita kur të gjithë e kuptuan se Partia Demokratike vdiq një herë e mirë. Kjo nuk do të thotë se nga krateri i hapur i rrënojave të saj nuk do të mbijnë forca të tjera politike, të udhëhequra nga Berisha, Basha a kushedi kush tjetër, por se partia që mblidhte rreth vetes qindra mijëra mbështetës nuk do të ekzistojë më, pavarësisht se ku shkon vula dhe selia e akronimit PD.

Të parët, më të rëndësishmit dhe më të ndershmit mes atyre që sot vajtojnë vdekjen e PD janë shumica dërrmuese e bashkëqytetarëve tanë që historikisht janë identifikuar dhe e kanë mbështetur PD. Partia Demokratike ishte produkt i një vale zemërate e shprese që përfshiu shumëkënd në kapërcyellin midis regjimit të vjetër dhe sistemit të ri. Në fillim ajo arriti të lidhte fijet e të gjithë atyre që ëndërronin një Shqipëri të re, pa dhunë shtetërore dhe atrofizim burokratik. Në dekadat pasuese, pavarësisht rrudhjes, PD ia doli të ishte përfaqësuesja e një blloku shoqëror të ngjizur nga urrejtja, pakënaqësia dhe refuzimi i pakompromis i të shkuarës diktatoriale. Në të bënte pjesë minoranca numerike, por gjithnjë e më hegjemone kulturalisht, e atyre të cilëve iu përmbys pozita shoqërore dhe/ose u persekutuan nga socializmi burokratik. Po, ç’është më e rëndësishmja, PD vijoi të mëtonte të ishte përfaqësuesja e asaj shtrese të gjerë shoqërore e cila u la pas, edhe qëllimisht, nga procesi i modernizimit të dhunshëm e të pjesshëm të Shqipërisë nga burokracia staliniste. Të gjendur kryesisht në kooperativat malore, por edhe si klasë punëtore e nëpërkëmbur e qyteteve të mëdha si Tirana, Durrësi e Shkodra, kjo shtresë e gjerë shoqërore ishte shtylla kurrizore tridhjetëvjeçare e PD. Me këtë parti ata nuk i lidhte vetëm mllefi ndaj të shkuarës, por edhe fakti se mobilitetin social të tridhjetë viteve të fundit – ardhjen në periferinë e qyteteve të mëdha, duke u shndërruar në klasë punëtore urbane (rasti i ish-fshatarësisë sidomos të zonave të veriut) dhe të vetëpunësuar në punishte apo dyqane (ish-punëtorët e qyteteve të mëdha) – ata ia atribuonin jo vetëm krahëve të tyre, por edhe shanseve që u krijuan nga përmbysja e sistemit të vjetër dhe liria sociale e epokës sonë. Ky bllok heterogjen – ku futet edhe pinjolli i ish-bejlerëve, edhe fshatarësia e klasa punëtore e socializmit – nuk mund të kishte unitet nëse nuk identifikohej me një figurë karizmatike, jeta e të cilit ishte mishërimi i kontradiktave të brendshme të tyre: Sali Berisha si ish-komunist dhe antikomunist, bir i një familjeje modeste dhe intelektual i afërt me pushtetin e shkuar, pajtues historik (“bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”) dhe revanshist (“bijtë e etërve”), oportunist dhe fanatik në të njëjtën kohë.

Ky bllok shoqëror ishte produkt i historisë dhe nuk mund të mbijetonte përtej kushteve që e prodhuan. Fakti që po perëndon së bashku me Sali Berishën është nga ato aksidente historike që fshehin një logjikë domosdoshmërie. Mirëpo këta qindra mijëra bashkëqytetarë – vuajtjet dhe arritjet e të cilëve meritojnë respektin maksimal – janë të vetmit vajtimi i të cilëve duhet pritur me mirëkuptim; ndonëse nuk duhet të mënojmë t’ua themi të vërtetën në sy: Është koha që të ndaheni dhe të formoni të tjera forca politike, legjitimiteti i të cilave nuk do të bazohet më tek e shkuara, por në interesat shoqërorë të së tashmes dhe aspiratat e të ardhmes. Politika e bazuar në nostalgji e melankoli, në rastin më të mirë, është shterpe.

Vijmë në rrathët e të pandershmëve. Në fillim qëndrojnë klikat rreth Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Bëhet fjalë për dhjetëra vetë – në rastin më të mirë pak qindra – nga ata që i shoqërojnë të dy nëpër mbledhje, konferenca shtypi dhe nxjerrin fytyrën në televizione. Janë hipotekuesit (tashmë imagjinarë) të privilegjeve që do të gëzonin nëse PD e kontrolluar nga i pari ose i dyti do të vinte në pushtet. Ata që pikasin nga larg postet ministrore, pozicionet fituese në listat e deputetëve, vendet drejtuese në agjencitë e mëdha publike, si dhe çdo post të mundshëm ku mund të bëhet para e madhe përmes allishverisheve me ndërmjetësinë e shtetit dhe në kurriz të popullit. Sot ndihen jo vetëm se vallja e çmendur ku hynë u doli për duarsh, por edhe sepse në këto kushte, pa perspektivë ardhjeje në pushtet, do të humbin edhe mbështetjen financiare të oligarkëve dhe ustallarëve të nëntokës kriminale. Kujtojmë se financuesit e mëdhenj të partive janë subjekte racionale, të cilët e shohin darovitjen si investim që do të prodhojë fitime të mëdha në të ardhmen e parashikueshme. Në këto kushte, kush vë më bast për një kalë të ngordhur?!

Si në çdo organizëm burokratik të gangrenizuar, poshtë klikës shtrihet një grup më i gjerë burokratësh të nivelit të mesëm e të ulët, pak a shumë delegatët e Kuvendit Kombëtar, ëndrrat e të cilëve nuk e kapërcejnë pragun e “një copë magazine” – kupto: drejtor, shef, doganier, nëpunës etj. Deri më sot këta kanë qenë skeleti i partisë. Njerëz që dikur kanë pasur një post, ku mund ta milnin ndopak shtetin ose të paktën të vinin festen mbi sy e të shkonin në bankomat një herë në muaj. Nëse u ka kaluar mosha apo janë rehatuar gjëkundi, ata aspirojnë të përdorin instrumentet klientelisto-patrimonialiste për t’u siguruar fëmijëve një vend pune në shtet apo në ndonjë biznes/ojf të afërt me partinë. Ata janë me të dyja dhe me asnjë palë njëkohësisht. Oportunizmi i tyre i vogël u tregua edhe gjatë dy kuvendeve paralele, ku shumë syresh hodhën firmat dhe ngritën dorën edhe pro Berishës, edhe pro Bashës me idenë “të jemi brenda, kushdo që të fitojë”.

Vajtuesit më të zëshëm, ndonëse më pak të sinqertët në këtë mes, janë copëza të shtresës së mesme urbane – diku intelektualë, analistë, gazetarë, ojëfëistë, një turli primouomosh e primadonash që i janë bashkëngjitur PD, duke mëtuar një distancë hipokrite paanësie. Zëri i tyre ushton shumë më fort se përmasat shoqërore dhe fuqia politike për shkak se janë në qendër të kuzhinës ku gatuhen lajmet, opinioni dhe idetë që më pas i shërbehen shoqërisë. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me njerëz të ndershëm që duan t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri (kupto: duan ndryshimin) duke përdorur duart e të tjerëve (kupto: militantët e PD). Shumë syresh janë në pozita aq të rehatshme ekonomike e gëzojnë status të lakmueshëm social, saqë të mos e shohin angazhimin politik përtej vigjilencës reaktive në rrjetet sociale apo ndonjë poze në mitingjet e PD. Ata nuk kanë as kohë, as durim dhe aq më pak guxim për t’u marrë me organizim të mirëfilltë politik. Ky i fundit kërkon vetëmohim, që është i kundërti i vetëkënaqësisë. Në lartësitë imagjinare ku e projektojnë veten, populli, në rastin më të mirë, iu duket një fëmijë arrakat që duhet edukuar dhe jo shumësia e bashkëqytetarëve të barabartë e barazvlefshëm. Nëse më të famshmit prej tyre do t’i përkufizonim si intelektualë tradicionalë (në kuptimin që u jep Antonio Gramsci), iluzioni se në kohët e sotme mund të jenë ndërgjegjja e kombit (si qëmoti) i bën të duken jo vetëm anakronikë, por edhe moskuptues të realitetit si fushë forcash e mbarsur me potenciale ndryshimi. Ndonjë syresh e imagjinon veten Monsieur de Voltaire të ditëve tona, që me fuqinë e mendimit do ta përdorte Berishën apo Bashën si dash për të shembur muret e kështjellës së Ramës.

Meqë jemi te Rama, mund të thuhet se urrejtja e tyre për të është e sinqertë, paçka se dobësia e mendimit politik ua pamundëson ta kuptojnë strukturalisht funksionin e tij: jo si tiran i gjithëpushtetshëm, por si nyje lidhëse e interesave të oligarkëve ekonomikë dhe burokracisë politike. Thellë-thellë ata duan të njëjtin sistem, me ndonjë rregullim estetik, por pa Ramën. Është e njëjta logjikë – e nganjëherë edhe të njëjtët njerëz – që përpara tetë e kusur viteve thoshin se Berisha duhej rrëzuar me çdo kusht e çdo mjet si e keqja absolute. Pa qenë të vetëdijshëm se e keqja mirëfilli absolute është kapitullimi ndaj të keqes, duke mbështetur ata që sot duken e keqja më e vogël dhe nesër e përdorin këtë kapital politik për t’u shndërruar në një të keqe më të madhe. Rama, për t’i rënë shkurt, nuk mund të rrëzohet pa rrëzuar strukturën ekonomiko-partiako-mediatike që e mban në këmbë.

Sot vajtojnë edhe oligarkët. Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se tanimë ata nuk do të kenë me çfarë ta drejtpeshojnë oreksin e Ramës për një përqindje më të lartë fitimi në allishverishet e përbashkëta. Sa kohë PD mbahej në këmbë, oligarkët mund t’ia ulnin pazarin Ramës për koncesione, PPP, tendera e leje ndërtimi, duke i dhënë të kuptonte se fare mirë mund ta zhvendosnin peshën e mbështetjes financiare te PD. Siç tregon historia bashkëkohore e vendeve të ngjashme, sistemi i preferuar i oligarkëve nuk është autoritarizmi njëpartiak, por dypartitizmi pro-oligarkik. Jo se një Ramë i ngjashëm me Putinin apo Erdoganin do t’u rrezikonte pasurinë, por thjesht do të rriste përqindjen e plaçkës. Të darovitësh nga 20% në 40% në xhepat e kryepushtetarit politik nuk është pak për grykësit për të cilët 1+1=2000 Euro.

Arsyen e dytë të vajtimit oligarkët e ndajnë me Edi Ramën. Rama është i sinqertë kur shprehet i shqetësuar nga fundi i PD, ndonëse orvatet ta kamuflojë me ironi. Zhbërja e PD do ta hapë fushën politike në mënyrë të paparashikueshme pasi asnjë shoqëri nuk ia lejon vetes mungesën e opozitës. Në këto kushte do të dalin subjekte të reja, me të cilat nuk hyjnë në punë mjetet dhe taktikat e vjetruara të luftës politike. Rama nuk do të ketë përballë matufllëkun proverbial të Bashës, as gogolin Berisha me të cilin PS ia ka dalë të shtrëngojë radhët e mbështetësve të saj historikë, por përftesa të reja politike të shoqërisë, të cilën as e njeh, as mund t’ia parashikojë strategjitë e lëvizjet, as mund ta tallë e denigrojë. Imazhi embrional i këtyre forcave mund të shihet në protestën studentore të dhjetorit 2018, e vetmja deri më tash që arriti përkohësisht t’ia vërë këmbët në një këpucë.

Ky proces mund të përshpejtohet nga dalja mbi ujë e fraksioneve të interesave në PS. Duke mos pasur më frikë se çarja e brendshme do të sillte rënien e pushtetit në duart e PD dhe hamendësuar se prokuroria mund t’i thellojë hetimet për të kapur peshq më të rëndësishëm se Lefter Koka (qoftë edhe si larje hesapesh brenda PS), fraksionet mund të ngrenë krye duke i rrezikuar Ramës të paktën shumicën parlamentare, në mos shkërmoqjen e partisë. Fundja, me një PD të vdekur dhe me një Berishë jashtë loje, çfarë do t’i motivonte qindra-mijëra votuesit tradicionalë të PS të vazhdonin të mbështesnin një parti, për të cilën janë të vetëdijshëm se qelbet era hajdutëri e maskarallëk?! Ky proces dobësimi/shkërmoqjeje e PS – si poli i kundërt i domosdoshëm i ekuilibrit politik tridhjetëvjeçar – do ta hapte edhe më shumë fushën politike. Ajo do të jetë dita kur shoqëria do të lërë përfundimisht mënjanë ndasitë e vjetra nostalgjiko-klienteliste për t’u riorientuar politikisht sipas kritereve racionale të shtresëzimit të saj klasor.

Këta muaj historia do të shpaloset shpejt. Mirëpo s’bën të harrojmë mësimin kryesor të saj: çdo krizë hap një derëz nga ku mund të kalojë edhe Mesia, edhe Antikrishti. Është në dorën tonë që nesër të mos qahemi se ramë nga shiu në breshër.

Politike

Përjashtimi i Alfred Ballës nga drejtësia/ Shpërthen Meta: Rilindja e përdori, më pas e flaku

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, lidhur me largimin për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë të Alfred Ballës, kreut në detyrë të KLP-së.

Meta shkruan se Rilindja” pasi të shtrydh pa mëshirë të flak me kënaqësi për të mbushur “statistikat” e saj të neveritshme se ne nuk pyesim as për “tanët”.

“Asnjë iluzion për Ramaformën, kryeturpin e “reformave”!”, shkruan Meta.

Pasditen e sotme Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, shpalli vendimin për procesin e vetingut ndaj kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Alfred Balla. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që vlerësoi ta përfundojë procesin ndaj Ballës pa një vendim përfundimtar, Kolegji vendosi ta ndryshojë atë dhe vendosi sanksionin e kërkuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, që i ndalon kreut të KLP-së të riemërohet për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit. Balla nuk ishte i pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit.

 

 

Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve.

Continue Reading

Politike

Protesta kundër Veliajt/ Berisha: Qytetarët në mosbindje civile për çlirimin e Bashkisë

Sali Berisha ka përshëndetur protestën e mbajtur këtë të martë te bashkia e Tiranës, kundër kryebashkiakut Veliaj. Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar deklaroi se, qytetarët protestuan sot në mosbindje civile për çlirimin e Bashkisë.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta qëndrestare dhe qëndrestarë. Misionarë të vërtetë të kauzës së drejtë shqiptare. Të qytetarëve shqiptarë, të interesit kombëtar.

Një përshëndetje të përzemërt në emër tuaj mikut që kemi sonte midis nesh, zëdhënësit më të ndritur të shpirtit të kombit shqiptar. Artistit, shkrimtarit, luftëtarit të pamposhtur të interesit kombëtar të shqiptarëve, Çun Lajçi. Mbart me vete frymëzimin për çdo shqiptar, krenarinë për çdo shqiptar që e njeh veten të tillë dhe që i beson Shqipërisë dhe kombit tonë.

Sjell Rugovën, kështjellën e pamposhtur të kombit tonë, që i dha kombit burra të mëdhenj si Ibrahim Rugova. Por edhe shkrimtarë të mëdhenj si Azem Shkreli. Mbi të gjitha i dha kombit historinë e kështjellës së përjetshme të pamposhtur të tij.

Duke shprehur edhe njëherë mirënjohje të pakufishme për nderin e madh që na bëri me praninë dhe fjalën e tij, le të përshëndesim së bashku të gjithë ata që protestuan sot në mosbindje civile për çlirimin e Bashkisë së Tiranës nga fara më e keqe që ka njohur ajo bashki në tërë ekzistencën e saj, Erion Veliaj.

 

Continue Reading

Politike

‘Veliaj nën hetim për pasurinë’/ Këlliçi: Do ti bashkohet në qeli grupit të tij besnik

Anëtari i kryesisë së PD-së Belind Këlliçi është shprehur se, për Erion Veliajn ka nisur edhe hetimi pasuror.

Këlliçi u shpreh se, ka komunikime të Erion Veliajt ku porosit vartësit e tij për pagesën e pronarëve të medieve që paguhen me paratë e inceneratorëve dhe me porositë e atyre që janë në nivelet më të larta, ku kryetari është niveli më i lartë.

“Ne kemi bërë publike emailet që këtij individi i dhurohet një çerdhe 1 mln euro në Kombinat për fushatë elektorale, edhe kjo duhet të jetë pjesë e kësaj dosje.

Kur ne kemi thënë se ekziston një aplikacion ku janë zbuluar komunikime të kryetarit të Bashkisë me stafin e tij të ngushtë, ku jepen porosira jo vetëm për tjetërsimin e votave, por edhe një nga plagët ku SPAK ende nuk ka vënë gishtin janë për zgjedhjet e vitit 2021 dhe 2023.

Ende nuk kemi asnjë fjalë për blerjen e votave në këto dy palë zgjedhje.

Në momentin që ne themi se është zbuluar një aplikacion ku jepen porositë për pagesën e pronarëve të medieve që paguhen me paratë e inceneratorëve dhe me porositë e atyre që janë në nivelet më të larta, ky kryetari është niveli më i lartë.

SPAK duhet të ketë vullnet edhe për pagesat e dherave që vendoseshin, ku një kompani do të duhej të paguante e një tjetër jo për depozitimin e dherave.

Kush ishin personat që vendosnin, këtë SPAK duhet të na e thotë. Unë për vete jam i qartë, është kryetari i Bashkisë Tiranë, dhe është e padiskutueshme.

Si rrallë herë inceneratori dhe ‘5D’ është e kopsitur me mijëra dokumente, nuk janë vetëm fjalë, por kemi faktuar çdo akuzë që kemi bërë.

Në 8 vite këta individë kanë hyrë në bashki duke vjedhur që në momentin e parë që kanë pasur mundësi, tenderat e parë. Kanë nisur me tendera 45 mijë euro, për të përfunduar në tendera 3 milionë euro, për të përfunduar në hotele 20 milionë euro. Vjedhja është shtuar gjatë viteve.

Nuk po flasim as për drejtorët e pastrimit të rrugëve apo të komunales. Po flasim për zinxhirin drejtues më të lartë të bashkisë Tiranë, drejtorët e përgjithshëm që kanë administruar shoqëri me 1 mijë punonjës. Këta janë njerëzit që kanë drejtuar fushatën e Veliajt.

Grupi i tij më i afërt sot është në qeli, persona të tjerë janë në hetim dhe pritet ti bashkohen atyre, sigurisht që Erion Veliaj duhet tu bashkohet shokëve të tij në qeli”, tha Belind Këlliçi

Continue Reading

Politike

Tragjedia në minierën e Martaneshit/ Tabaku me tone të ashpra: Statusi i minatorit ende pa zgjidhje

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Martanesh, ku në një minierë humbi jetën një 29-vjeçar dhe u plagosën tre të tjerë.

Në një postim në Facebook ajo shkruan se ngjarje të tilla të përsëritura duhet të jenë një këmbanë alarmi pët qeverinë.

Reagimi i Tabakut:

Tragjedia e minierës së Martaneshit ku një 29 vjeçar humbi jetën dhe 3 të tjerë janë të plagosur është një këmbanë që duhet të ndjehet nga çdo instancë shtetërore dhe qeverisë.

Ngjarje të tilla janë përsëritëse, tre muaj më parë u shkëputën gurë që plagosën rëndë punëtorët dhe asnjë masë nuk është marrë edhe aq më pak ndonjë ndërhyrje e qeverisë që “feston” me lule socialiste “1 Majin” ndërkohë që ka harruar punëtorët.

Një qeveri e pakicës do të thotë që njerëzit e një toke të pasur të mbeten të varfër sepse I forti sundon mbi të dobëtin si në ligjin e xhunglës.

Kësaj i duhet shtuar edhe mënyra se si trajtohen koncesionet në këto pasuri të shqiptarëve dhe së pari të banorëve të asaj zone. Ndërkohë që ende dredhim zinxhirin për të miratuar një nënkomision që do të hulumtojë mbi gjithë kontratat koncesionare e Ministria e Financave fsheh si struci raportin e Koncesioneve dhe PPP-ve, punëtorët e minierave keqtrajtohen si në skllavëri. Të keqpaguar, të pa sigurtë dhe në kushte të papërshkrueshme të punës së përditshme. Duke iu nëpërkëmbur dinjiteti, pa marrë vështirësinë e punës që i takon. Prej vitesh statusi i minatorit që njeh të drejta të veçanta per këtë kategori nuk është pjesë e diskutimeve të asnjë tryeze.

Ndërkohë që kjo tragjedi zhvillohet, mazhoranca socialiste ka sjellë vetëm ligje dhe projektligje që luajnë me lehtësime fiskale të rentës minerare që nuk I bëjnë punë zonave me këto pasuri por vetëm pakicës që I kontrollon këto miniera prej ari.

Kjo tragjedi nuk është një shkak për të bërë politikë. Në të vërtetë është një këmbanë alarmi që të mos përsëritet më. I qoftë i lehtë dheu të ndjerit Armond Peshku që humbi jetën në kulmin e rinisë.

Continue Reading

Politike

Meta takim me liderin e opozitës sllovene, zbulon detaje se për çfarë diskutuan

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar takim sot me liderin e opozitës së Sllovenisë, Kryetarin e Partisë Demokratike, Janez Jansha.

Meta shkruan se gjatë takimit me Janez Jansha, kanë diskutuar në lidhje me arrestimin politik të kryetarit të opozitës në Shqipëri, Sali Berisha. Gjithashtu shprehet se kanë diskutuar edhe për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve dhe për integrimin europian të rajonit tonë.

POSTIMI I METËS:

Kënaqësi e veçantë të pritesha sot në selinë e Partisë Demokratike të Sllovenisë nga Lideri i saj dhe i opozitës, Janez Jansha, ish-Kryeministër.

Diskutuam për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve dhe për integrimin europian të rajonit tonë.

Jansha u interesua për gjendjen e Berisha dhe theksoi se është shumë e rëndësishme që drejtësia të mos përdoret politikisht por të jetë e pavarur.

Nga ana ime i shpjegova Jansha se veprimet e paligjshme ndaj Berisha synojnë t’i pamundësojnë atij të kryejë përgjegjësitë e tij si deputet dhe Lider i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Shpreha besimin se asnjë masë represive ndaj opozitës nuk do ta ndalë atë në misionin e saj për ç’kapjen e shtetit dhe rivendosjen e demokracisë funksionale dhe llogaridhënies.

Shprehëm besimin se në të ardhmen bilanci tregtar dhe i bashkëpunimit politik midis dy vendeve do të jetë shumë më i lartë.”, shkruan Meta.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING