Aktualitet
Gjermani/ 16 vjeçari shqiptar kampion për herë të tretë në garën e kërcimit
Është mbajtur këtë fundjavë gara për kampion të Gjermanisë në disiplinën e “Breakdance dhe Hip Hop” në Spraitbach të Landin Baden-Würtermberg, ku është shpallur kampion në kategorinë junior 16 vjecari shqiptar Plarent Kiçmari.
Gara është organizuar nga shoqata sportive “TAF-Germany”, ku kanë marrë pjesë rreth 150 kërcimtarë nga Gjermania dhe 100 të tjerë nga vende të ndryshme të botës.
Gara është mbajtur në përputhshmëri me rregullat anti-Covid-19.
Në kategorinë junior 2 për moshat 15 dhe 16 vjeçare, Plarent Kiçmari, djaloshi 16 vjeçar me prejardhje nga Kosova, arriti që përsëri të shpallet kampion i breakdance në Gjermani, kështu duke e mbrojtur titullin e kampionit për të tretin vit radhazi.
Për Plarentin që tanimë njihet si kampion i Gjermanisë, kanë raportuar edhe shumë gazeta regjionale në NRW dhe Baden-Wurttemberg.
Po ashtu Kiçmari është edhe kandidat potencial për të përfaqësuar Gjermaninë në Lojërat Olimpike. KosovaPress.