Connect with us

Aktualitet

Intervista / Artisti shqiptar në Milano, Donald Braho sjell “Uno Quattro”

Donald Braho është një ndër artistët e rinj i cili e gjen veten në disa disiplina të artit dhe i cili aktualisht po zhvillon karrierën e tij në Itali. Muzika elektronike është një nga rrymat jo fort e rrahur në Shqipëri, por që jashtë vendit mbetet një zhanër që ka shumë interes. Prej disa kohësh jeton në Milano duke u marrë me regji, modeling dhe muzikë.

Ai ka sjellë projektin muzikor “Uno Quattro” dhe e gjithë kënga është frymëzuar nga muzika e viteve ’80-t, që element identifikues ka sintetizatorët. Një tjetër kuriozitet? Vokalet që janë përdorur në këngë, janë marrë nga Google Translate.

Por a është e vështirë për një artist të ecë para jashtë vendit të vet, dhe çfarë sjell ky projekt Donald Braho na e tregon më së miri në këtë intervistë për gazetën “Diaspora Shqiptare”.

INTERVISTA

Donald, prej disa kohësh tashmë jetoni në Milano, Itali. Si po e përballoni situatën atje?

Po prej disa kohësh jetoj në Milano. Situata është “ok” edhe pse shifrat janë akoma më të larta sesa fillimi i vitit. Them kështu pasi, ndoshta, tashmë u mësuam me këtë situatë.

Ju jeni një artist multidisplinar, regjisor, producent, model etj. Së fundmi keni sjellë projektin “Uno Quattro”, ritme të muzikës elektronike. A ju shërbeu kjo periudhë si frymëzim për këtë projekt?

Në fakt track-u “Uno, Quattro” u realizua gjatë karantinës së muajve të parë të 2020 dhe puna për videon nisi aty.

Si funksionoi realizimi i videos?

3D është një medium i ri vizual i cili do shumë kohë dhe durim, për këtë arsye falenderoj Geri Prendushin i cili vuri në dispozicion talentin, punën e palodhur dhe mbi të gjitha ndoqi në mënyrë rigoroze drejtimin që i dhashë projektit si regjizor. Gjithçka u realizua nëpër takime në Zoom.

Cili është mesazhi i “Uno Quattro”?

Uno, Quattro është një udhëtim brendësor dhe transformues, tejet personal, i shpalosur vizualisht në një formë simbolike.

A mendoni se shkon muzika elektronike me një ndërthurje të asaj folklorike. Do të donit të eksperimentonit me këtë?

Absolutisht që po, shkojnë dhe tepër madje. Shumë artistë ndërkombëtarë luajnë me elemente të tilla. Ndoshta, në një të ardhme dhe unë mund të provoj diçka të tillë.

Një pyetje e fundit, sa e vështirë është për shqiptarët jashtë vendit të ecin para me talentin e tyre?

Mendoj që është më e lehtë jashtë sesa në Shqipëri të them të drejtën. Në Shqipëri ende nuk ka hapësira solide për muziken elektronike, na duhet akoma shumë punë për të krijuar mundësi dhe terren për gjërat e veçanta, që dalin tërësisht nga klisheja e zakonshme./ DiasporaShqiptare

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *