Connect with us

Bota

Miçigani çertifikon fitoren e demokratit Joe Biden

Zyrtarët e zgjedhjeve në Miçigan çertifikuan të hënën fitoren e demokratit Joe Biden me 154,000 vota më shumë në këtë shtet mes përpjekjeve këmbëngulëse të Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Bordi i Zyrtarëve të Zgjedhjeve të Shtetit, i përbërë nga dy republikanë dhe dy demokratë, konfirmoi rezultatet në një votim 3-0, me një abstenim. Aleatët e zotit Trump dhe kandidati republikan humbës për Senatin, John James e kishin nxitur panelin të vononte votimin për dy javë për të kontrolluar votat në qarkun me shumicë demokrate Wayne, që përfshin Detroitin.

Ky vendim është një tjetër pengesë në përpjekjet e Presidentit Trump për të përdorur mjete të pazakonta për të minuar rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe vjen edhe pasi ai bëri përpjekje të drejtpërdrejta për të ndikuar tek zyrtarët republikanë të këtij shteti, duke i ftuar ata në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

Sipas ligjit të Miçiganit, zoti Biden siguron të 16 votat elektorale. Ai fitoi me 2.8 përqind epërsi – një diferencë më e madhe se në shtetet e tjera ku zoti Trump po konteston rezultatet si në Xhorxha, Arizona, Uiskonsin dhe Pensilvani.

Disa aleatë të Presidentit Trump kishin shprehur shpresën se ligjvënësit e shtetit mund të ndërhynin për të zgjedhur elektorë republikanë në shtetet që nuk çertifikojnë. Kjo lëvizje që nuk kishte gjasa për sukses, nuk është më e mundur në Miçigan.

Përpjekjet e zotit Trump për të shmangur pranimin e pashmangshëm zyrtar të humbjes së tij – po përballen me një rezistencë gjithnjë e më të ashpër nga gjykatat dhe republikanët, ndërsa kanë mbetur vetëm tre javë deri në mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor për të çertifikuar fitoren e zotit Biden. Sfidat e zotit Trump dhe akuzat e pabazuara për konspiracion dhe mashtrim të përhapur janë pritur një nga një me refuzim ndërsa shtetet vazhdojnë të konfirmojnë rezultatet e tyre.

“Detyra e bordit sot është shumë e qartë,” tha Aaron Van Langevelde, nënkryetari Republikan i Bordit të Zgjedhjeve të Miçiganit. “Ne kemi detyrën t’i vërtetojmë këto zgjedhje bazuar në votat që kemi. Kjo është shumë e qartë.”

Zyra e Zgjedhjeve në Miçigan ka rekomanduar që rezultatet e 3 nëntorit të çertifikohen.

Norm Eisen, një ekspert i së drejtës kushtetuese dhe ish-këshilltar i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve thotë se nuk kishte asnjë bazë ligjore për asnjë alternative tjetër përveç vërtetimit të zgjedhjeve.

“Ky është mandati i qartë i ligjit të shtetit,” tha ai. Zoti Eisen hodhi poshtë pretendime të ndryshme pse një shyrje mund të jetë e nevojshme, përfshirë nevojën për një kontroll ose kohë për të hetuar të ashtuquajturat zona “të pabalancuara”.

“Arsyet që ata kanë paraqitur për të bërë çdo gjë tjetër përveç çertifikimit, janë krejtësisht të rreme. Ata nuk kanë asnjë peshë ligjore ose faktike sipas ligjit,” shtoi Eisen.

Trump është përpjekur të sfidojë rezultatet e zgjedhjeve përmes gjykatave, por duke mos patur sukses me këtë metodë, kaloi në përpjekjet personale për të ndikuar tek ligjvënësit lokalë për t’i bindur ata që të injorojnë votën popullore dhe të emërojnë elektorë republikanë, një strategji që do t’i nxirrte amerikanë në rrugë për protesta, sipas ekspertëve të ligjit zgjedhor.

Në Pensilvani, një gjykatës konservator republikan rrëzoi përpjekjen më të madhe ligjore të fushatës Trump me një vendim të ashpër që shtronte pyetjes se për ç’arsye duhej të shfqizonte votën e 7 milionë vetëve pa prova për të mbështetur pretendimet e fushatës dhe një argument juridik që në rastin më të mirë ishte i dobët.

Por avokatët ende shpresojnë të blokojnë çertifikimin në atë shtet, duke bërë një apel në Gjykatën e Apelit të Qarkut të 3-të në Filadelfia, e cila urdhëroi avokatët të paraqisnin një kërkësë të hënën por nuk pranuan të dëgjonin argumente gojore.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

E cilësoi Rusinë vend të pasigurt, Moska shpall Freedom House “organizatë të padëshirueshme”

Rusia e ka shpallur të martën “organizatë të padëshirueshme” grupin për të drejtat e njeriut, Freedom House.

Freedom House, me bazë në Uashington, u themelua më 1941 dhe njihet për avokim politik në lidhje me çështjet e demokracisë, të drejtave politike dhe lirive të njeriut.

Në raportin e saj më 2024, Freedom House e cilësoi Rusinë si vend të “pasigurt”, duke vlerësuar atë me vetëm 13 pikë nga 100 të mundshme për Lirinë Globale.

Ligji “organizatë e padëshirueshme”, i miratuar më 2015, vë në shënjestër organizatat joqeveritare të cilat financohen nga jashtë.

 

 

Zyrtarët rusë e kanë përdorur këtë ligj për t’i margjinalizuar dhjetëra organizata të huaja në Rusi.

Në shkurt, Rusia e shpalli Radion Evropa e Lirë (REL) “organizatë të padëshirueshme”.

Sipas regjistrit, REL-i është entiteti i 142-të që është përfshirë në listë.

Përfshirja në listë nënkupton që një organizatë nuk mund të operojë në Rusi, dhe qytetarëve të Rusisë u ndalohet bashkëpunimin me të, sepse në të kundërtën rrezikohen nga ndjekja penale./ REL

Continue Reading

Bota

Moska bën paralajmërimin e fortë: Do godasim objektivat ushtarake britanike nëse…

Moska paralajmëroi të hënën se do të godasë objektiva ushtarake britanike brenda Ukrainës dhe gjetiu, nëse forcat ukrainase godasin Rusinë me raketat me rreze të gjatë të furnizuara nga Britania.

Dërgimi i këtyre raketave drejt Ukrainës u miratua nga sekretari i Jashtëm britanik David Cameron.

Gjatë një vizite në Kiev javën e kaluar, sekretari Cameron tha se forcat ukrainase do të mund të përdorin raketat britanike me rreze të gjatë për të goditur objektiva brenda territorit të Rusisë. “Ndërsa Rusia po godet brenda Ukrainës, mund ta kuptoni përse Ukraina ndjen nevojën të sigurohet që po mbrohet”, tha zoti Cameron gjatë një interviste me agjencinë e lajmeve Reuters javën e kaluar.

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi nëpërmjet një deklarate se ka thirrur në takim ambasadorin britanik në Moskë, Nigel Casey dhe e paralajmëroi atë se nëse forcat ukrainase përdorin për të goditur Rusinë armatime të furnizuara nga Britania, Moska mund të kundërpërgjigjet ndaj “çdo objekti ushtarak britanik dhe paisjeve në territorin ukrainas apo më gjerë”.

“Ambasadorit iu bë thirrje të reflektojë për pasojat e pashmangshme katastrofike nga hapa të tilla armiqësore nga Londra dhe të refuzojë menjëherë në mënyrën më të fortë dhe pa ekuivok deklaratat luftarake dhe provokative nga drejtuesi i Zyrës së Jashtme”, thuhet në deklaratën e Rusisë.

Më herët, Rusia njoftoi se po planifikonte stërvitje të reja bërthamore pranë kufijve të Ukrainës, duke përmendur “kërcënimet” e bëra nga udhëheqës perëndimorë, përfshirë kryeministrin francez Emmanuel Macron dhe zyrtarët britanikë, si dhe në formë përgjigjeje ndaj manovrave të gjera stërvitore të NATO-s pranë kufijve të Rusisë.

Ukraina njoftoi ndërkaq të hënën se ka rikthyer energjinë për qindra mijëra persona që kishin mbetur pa drita pas sulmeve të forcave ruse gjatë natës. Ukraina pranon megjithatë se po përballet me “sfida urgjente” për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së saj energjitike.

Forcat ruse kanë goditur vazhdimisht objektet energjitike ukrainase, duke shkaktuar terr dhe furnizimin e energjisë në kuota të pakësuara në mbarë vendin. Mbi 400 mijë shtëpi patën mbetur pa energji në rajonin Sumy pasi forcat ruse goditën linjat e voltazhit të lartë, thanë zyrtarët ukrainas të energjitikës.

Forcat ruse kanë shtuar sulmet në rajonet Sumy dhe Kharkiv gjatë muajve të fundit, duke rritur frikën se Rusia mund të jetë duke përgatitur një ofensivë tokësore në këto rajone, që u morën vetëm pjesërisht në fillimet e sulmit të forcave ruse.

Kievi gjithashtu thotë se Moska ka shtuar sulmet nga ajri dhe toka, ndërsa afron 9 maji, dita kur Rusia shënon fitoren ndaj Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ukraina ndërkohë nuk ka municione të mjaftueshme dhe është në pritje të furnizimeve jetike nga Shtetet e Bashkuara. /VOA

Continue Reading

Bota

Hamasi lajmëroi se pranoi propozimin për armëpushim, Izraeli hedh poshtë deklaratën

Një zyrtar izraelit tha sot se nuk ishte rënë dakord për armëpushim në Gaza, pasi Hamasi deklaroi se kishte pranuar një propozim nga ndërmjetësit egjiptianë dhe nga Katari.

Zyrtari izraelit tha se propozimi që Hamasi kishte pranuar ishte një version “zbutur” i një propozimi egjiptian, i cili përfshinte përfundime që Izraeli nuk mund t’i pranonte.

“Ky duket të jetë një mashtrim që synon ta bëjë Izraelin të duket si pala që refuzon një marrëveshje,” tha zyrtari izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti sipas Reuters.

Më herët, Hamasi tha në një deklaratë të shkurtër se shefi i saj, Ismail Haniyeh, kishte informuar ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit se grupi e kishte pranuar propozimin e tyre për armëpushim.

 

 

Njoftimi i Hamasit për një marrëveshje erdhi disa orë pasi Izraeli urdhëroi evakuimin e pjesëve të Rafahut, qytetit në skajin jugor të Gazës që ka shërbyer si strehë e fundit për rreth gjysmën e 2.3 milionë banorëve të Gazës.

Continue Reading

Bota

Hamasi njofton se ka pranuar propozimin për armëpushim

Grupi militant Hamas thotë se ka pranuar propozimin për armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari për t’i dhënë fund luftës shtatë-mujore me Izraelin.

Përmes një deklarate, Hamasi tha se udhëheqësi i saj Ismail Haniyeh ia ka bërë të ditur këtë qëndrim kryeministrit të Katarit dhe shefit të zbulimit të Egjiptit.

Këto dy shtete po ndërmjetësojnë prej disa muajsh bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit. Një zyrtar izraelit deklaroi që kjo është një lojë e Hamasit për ta bërë Izraelin të duket fajtor që nuk po pranon armëpushimin.

Continue Reading

Bota

Mini-busi përplaset me kamionin, raportohet për 8 të vdekur e 11 të plagosur

Një aksident i rëndë tragjik ka ndodhur në Turqi, pranë lagjes Islahiye të Gaziantep ku tetë persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjeetë janë plagosur.

Aksidenti ishte si rezultat i një përplasjeje kokë më kokë midis një kamioni-betoniere dhe një minibusi pasagjerësh në autostradën Islahiye-Hatay pranë lokalitetit Agabey.

Identiteti i viktimave, si dhe informacioni i targës dhe drejtuesit të minibusit nuk janë konfirmuar ende. Shërbimet e urgjencës, përfshirë zyrtarë shëndetësorë, xhandarmëri dhe zjarrfikëse, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Të plagosurit janë transportuar në spitalet e afërta me autoambulanca të shumta, ndërsa të ndjerit janë dërguar në morg.

Guvernatori i Gaziantepit, Kemal Çeber, konfirmoi numrin fillestar të viktimave, duke thënë: “Sipas informacioneve që kemi marrë në këtë moment, tetë qytetarë tanë humbën jetën në aksident dhe njëmbëdhjetë u plagosën”.

Shkaku i aksidentit aktualisht po hetohet. Duke qenë se kjo është një ngjarje në zhvillim, detaje të mëtejshme do të jepen sapo të bëhen të disponueshme.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING