Aktualitet
Ministrja Evis Kushi takim të rëndësishëm për zhvillimin e kërkimit shkencor, hapat qe duhen ndërmarrë
“Akademia e Shkencave e Shqipërisë është lider në fushën e kërkimit-shkencor”.
Kështu u shpreh Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë , znj Evis Kushi në takimin e sotëm në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Kryesinë e Akademisë së Shkencave.
Ministrja Kushi u prit nga Kryetari akad. Skënder Gjinushi dhe në takim morën pjesë edhe funksionarë të tjerë të Akademisë.
Në këtë takim, që u cilësua shumë i frytshëm nga të dyja palët, u konstatua se Ligji nr. 53/2019 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, tashmë ka dhënë rezultate të dukshme pozitive. Ka një ndryshim të qartë në marrëdhëniet midis universiteteve dhe Akademisë. Njësitë e kërkimit shkencor dhe komisionet e posaçme janë me përbërje të përbashkët. Pjesa më e madhe e anëtarëve të tyre janë nga universitetet. Me miratimin e reformës çdo kandidim për anëtarësi në Asamblenë e Akademisë kalon përmes njësive shkencore universitare dhe senateve të universiteteve.
Pati mirëkuptim për bashkëpunimin ndërinstitucional edhe në procesin e mëtejshëm, duke përfshirë hartimin e ligjit tashmë në proces për shkencën, që do të harmonizojë më tej dy ligjet kuadër të dy institucioneve. Akademia e Shkencave dhe MASR do të bashkëpunojnë edhe për miratimin e projektligjit për deontologjinë në kërkimin shkencor, përshtatje e kodit europian të kërkimit shkencor.
U diskutua edhe për mundësinë e ndryshimeve pozitive edhe në organizimin e institucioneve shkencore sot në Shqipëri, që ka problemet e veta, por ka vend për ndryshime.
Pati mirëkuptim për të hedhur hapat e nevojshëm edhe në këtë pikë, dhe në këtë kuadër u përmendën projektet e mëdha akademike për një enciklopedi shqiptare, për një fjalor të madh të shqipes dhe për një histori të popullit shqiptar, që kërkojnë sinergji të mëdha ndërinstitucionale.
Ministrja Kushi falënderoi Akademinë e Shkencave për mikëpritjen dhe iniciativat e përbashkëta, të cilat do të japin shumë shpejt rezulate konkrete.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi u shpreh se dy insitucionet kanë qëllime të përbashkëta në veprimtarinë në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Shqipëri.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë