Aktualitet
OSBE në Shqipëri mbështet mbajtjen e Akademisë së Të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave 2020
Grupi Shqiptar i Të Drejtave të Njeriut, në bashkëpunim të ngushtë me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizoi në datat 27 tetor – 1 nëntor 2020, Akademinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave 2020, në formatin e ndërthurur online dhe në terren.
13 të diplomuar të mëparshëm të Akademisë dhe pesë përfaqësues të pakicave u përzgjodhën që të merrnin pjesë në këtë veprimtari përmes një thirrjeje për aplikime të botuar në mediat sociale të Prezencës së OSBE-së.
Pjesëmarrësit patën mundësi të trajtonin një gamë të gjerë temash, përfshirë këtu: veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë gjatë periudhës së pandemisë, rolin e medias për garantimin e transparencës së institucioneve nën masat kufizuese, reformën zgjedhore dhe edukimin e zgjedhësve në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021.
Barazia gjinore, të drejtat e pakicave, si dhe pjesëmarrja e të rinjve dhe e shoqërisë civile në vendimmarrje ishin tema të tjera të rëndësishme që u diskutuan gjatë kësaj veprimtarie.
Gjatë gjithë kësaj veprimtarie, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjonin dhe të diskutonin me përfaqësuesit e institucioneve që luajnë një rol kyç për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe diversitetit në vend, përfshirë këtu Zyrën e Avokatit të Popullit (Ombudsmani), Zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Nënkomisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut.
Mesazhi kryesor që iu dha pjesëmarrësve është se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe angazhimi proaktiv i qytetarëve janë mënyra më e mirë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive njerëzore.
Në ditën e fundit të Akademisë u mbajt një vizitë studimore në Bashkinë Pustec, Qarku Korçë, me synimin për të parë nga afër respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave në një njësi të qeverisjes vendore me popullsi kryesisht minoritare.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të mbështesë vitin e ardhshëm disa veprimtari vijuese, të cilat u përcaktuan pas diskutimeve të gjera dhe sesioneve të vlerësimit në mbyllje të kësaj veprimtarie. Ndër këto veprimtari vijuese mund të përmendim takimet në zyrat e deputetëve anembanë vendit, vizitat në Kuvend dhe në institucionet e tjera të pavarura dhe synimi i tyre është ndërtimi i urave lidhëse mes autoriteteve dhe aktivistëve të rinj, pjesëmarrës të Akademisë 2020.
Akademia e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave 2020, veprimtari kjo e përvitshme që nga viti 2012, u mundësua përmes projektit ‘’Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, i cili mbështetet nga qeveria zvicerane dhe zbatohet nga Prezenca e OSBE-së dhe Instituti Demokratik Amerikan, në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë.