Aktualitet
Policia Federale gjermane dhuron 22 automjete për Policinë Kufitare
/ ATSH- A. Fortuzi/ Policia Federale gjermane ka dhuruar 22 automjete për Policinë Kufitare shqiptare, si dhe pajisje teknologjike dhe radio ndërlidhëse.
Në ceremoninë e dorëzimit të tyre, organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, morën pjesë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe efektivë të Policisë Kufitare.
Ministri Lleshaj në fjalën e tij, theksoi se kufijtë e Shqipërisë të mbeten të sigurt nga rreziqet që lidhen me flukset migratore dhe me krimin ndërkufitar
“Po bëhen rreth 90 automjete që janë dhuruar vetëm këto dy vitet e fundit për Policinë e Shtetit, kryesisht atë kufitare dhe forcat operacionale të saj. Gjë që tregon se Policia gjermane i ka identifikuar mirë nevojat tona dhe ka gjetur mënyrën më të mirë për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit në aspektin teknik të saj”,- tha Lleshaj.
Ai bëri me dije se, “Qeveria shqiptare ka arritur ta miratojë një shtesë të ndjeshme në numrin e Policisë së Shtetit, prej së cilës rreth 200, ose gati 40% e saj ka shkuar në funksion të Policisë Kufitare, duke qenë të ndërgjegjshëm se forcimi i kapaciteteve për kontrollin dhe menaxhimin e kufirit është një kontribut i rëndësishëm për forcimin e sigurisë së vendit. Por është edhe një kontribut po ashtu i rëndësishëm për përpjekjen tonë për integrimin europian, duke ditur se flukset migratore janë një sfidë e madhe për Shqipërinë, por edhe për BE”,- tha Lleshaj.
Lidhur me problematikën e flukseve migratore, Ministri i Brendshëm u shpreh se “në kuadër të përpjekjes tonë për anëtarësim në këtë BE, ne duhet dhe po i koordinojmë më së miri përpjekjet për t’i kontrolluar dhe menaxhuar këto flukse migratore, e për të mundësuar që përmes kontrollit, të parandalohet sidomos risku i shtuar për sigurinë që lidhet me këtë fluks”.
“Në këtë prizëm, në mënyrë të ndjeshme është rritur edhe bashkëpunimi dhe përpjekja jonë, për ta kontrolluar më mirë kufirin. Falë edhe faktit që tashmë ne nuk e kontrollojmë vetëm kufirin tonë por e kontrollojmë në bashkëpunim me FRONTEX. Dihet që FRONTEX, po zbaton një operacion për kontrollin e kufirit të Shqipërisë për të parën herë në një vend jashtë BE”,- kujtoi Lleshaj
“Jemi të ndërgjegjshëm që ende ka hapësirë dhe nevojë për të bërë më shumë për rritjen numerike të Policisë së Shtetit në tërësi. Rritjen numerike të Policisë Kufitare në veçanti, për t’i çuar numrat në nivelet e krahasueshme me vendet fqinje dhe ato të BE. Por para që gjithash ka nevojë për rritjen e nivelit profesional të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe sidomos të punonjësve të Policisë Kufitare”,- tha ministri i Brendshëm.
Lleshaj garantoi se kufijtë e Shqipërisë të mbeten të sigurt nga rreziqet që lidhen me flukset migratore dhe me krimin ndërkufitar.
“Para pak ditësh patëm një Ministerial të Ministrave të Brendshëm, të rëndësishëm, që u zhvillua nën Presidencën Gjermane, ku u diskutuan pikërisht çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e kontrollit të flukseve migratore. Garantoj edhe njëherë që ne do të jemi përherë të gatshëm, të motivuar, për të bërë më të mirën që kufijtë e Shqipërisë të mbeten të sigurt nga rreziqet që lidhen me flukset migratore dhe me krimin ndërkufitar. Po ashtu, përmes këtij kontributi ne ndikojmë që edhe siguria e vendeve të BE-së të përmirësohet përmes rolit të shtuar të Shqipërisë, duke penguar migracionin e paligjshëm, duke penguar dhe luftuar krimin ndërkufitar, trafikimin e armëve, qenieve njerëzore dhe duke synuar që vendi, rajoni, të bëhet përherë dhe më i sigurt për qytetarët dhe më i pakalueshëm për krimi”,- tha ministri Lleshaj. /a.a/