Connect with us

Politike

Shqipëri-Itali, marrëveshje për Komitetin e Përbashkët të Përhershëm

Kryeministri Edi Rama priti sot, në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi Di Maio. Në përfundim të takimit, u nënshkrua marrëveshja për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm Shqipëri-Itali.

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita!
Sapo kemi përfunduar një takim vëllazëror me Ministrin e Punëve të jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, një mik, që mund ta them me plot gojën, i çmuar i shqiptarëve, i Shqipërisë, që pavarësisht situatës tejet të ngarkuar, ka gjetur përsëri kohën dhe mundësinë për të riardhur në Shqipëri, pas vizitës së dhjetorit të kaluar, kur e kujtoj për të gjithë, e përsëri dua ta falenderoj, na u gjend pranë në një nga momentet më të rënda të historisë sonë, pas tragjedisë së madhe të 26 nëntorit të shkuar.
Nuk mundem që bashkë me falenderimin për të, të mos përsëris shprehjen e mirënjohjes më të thellë për Italinë mike, për qeverinë italiane, për popullin italian dhe në mënyrë të veçantë për trupat fantastike të Mbrojtjes Civile italiane, të cilat reaguan në mënyrë të rrufeshme ndaj nevojës sonë për ndihmë dhe u gjendën brenda shumë pak kohe, në zonën e fatkeqësisë, duke sjellë shpresë dhe duke shpëtuar jetë njerezish.
Nga ana tjetër, nuk mundem të mos e kujtoj këtu, me mirënjohje, edhe përfshirjen e drejtëpërdrejtë të mikut tonë, Luigi di Maio dhe të Kryeministrit Conte, për të garantuar një mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë në Bruksel, në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, ku Italia ishte jo vetem me fjalë, por edhe me vepra, në krye të radhës së vendeve mike që u rreshtuan krah për krah Shqipërisë.
Sot ndajmë së bashku edhe eksperiencën që po ndan e gjithë bota, eksperiencën e jashtëzakonshme që po sprovon gjithë botën të përballjen me armikun e padukshëm, virusin COVID-19. Dëshiroj ta falenderoj Ministrin edhe për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës, për të cilën e gjithë bota është vënë në lëvizje, BE-ja është vënë në lëvizje. Siç e kam shpjeguar më parë, vendet po krijojnë edhe partneritete dhe Italia falë kësaj lidhjeje krejt të veçantë që ka me Shqipërinë, por falë edhe Kryeministrit Conte dhe Ministrit të Jashtëm është pranë nesh, siç është edhe BE-ja pranë Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që vendet e rajonit tonë të mos mbeten mbrapa, në radhë të parë në garantimin e vaksinës për personelin mjekdor dhe sipas radhës, por në një kohë sa më të shpejtë për mësuesit, për forcat e policisë dhe pastaj për gjithë popullin në vijim.
Sot kemi folur me ministrin edhe për temën e rëndësishme të bashkëpunimit. 10 vjet si sot, si këtë vit është nënshkruar Deklarata e Partneritetit Strategjik Shqipëri-Itali, një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën e forcimit të marrëdhënies sonë dypalëshe. Ne duam ta institucionalizojmë më tej këtë partneritet, duke nxitur dialogun në funksion të temave të posaçme dhe tema për të cilën do të angazhohemi menjëherë është tema e partneritetit në lidhje me planin e investimeve për Ballkanin, i cili ka tre shtylla kryesore, transport dhe infrastrukturë, energji dhe digjitalizim. Në dy shtyllat e para, Italia ka ekspertizën e çmuar në arenën ndërkombëtare, ka dhe vullnetin për të qenë pranë nesh. Kështu që më shpejt se vonë, së bashku me Ministrin, ne do të përcaktojmë edhe partnerët strategjikë në këtë rrugë, që do të na asistojnë me ekspertizën e tyre për projektet dhe për aksesin në financimin e këtij fondi të BE-së.
Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, dua ta falenderoj Ministrin personalisht, sepse, pavarësisht se nuk kam asnjë arsye që të harroj angazhimin e paraardhësve të tij në këtë detyrë, realisht është i angazhuar jo thjeshtë politikisht, jo thjeshtë institucionalisht, por edhe personalisht për të qenë një avokat i shkëlqyer i integrimit europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor që është pjesë e vizionit strategjik të qeverisë italiane.
Kemi folur edhe për këtë stacion, ku gjërat në këtë moment janë komplikuar, siç jeni edhe informuar, nga një moment ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në ndërkohë që po diskutohet edhe korniza negociuese me të dyja vendet, në nivelin e BE-së.
Ministri Luigi Di Maio: Faleminderit Zoti Kryeministër!
Faleminderit Edi!
Sot kam patur një takim shumë të përzemërt dhe konstruktiv me mikun, Kryeministrin Edi Rama me të cilin kemi një marrëdhënie të qëndrueshme. Vitin e kaluar, siç keni thënë dhe ju, kam qenë këtu në Tiranë, menjëherë pas tërmetit, për të ofruar mbështetjen e Italisë. Në atë moment nuk do kishim imagjinuar dot se në muajt në vijim një tragjedi e re do kishte goditur dy vendet tona dhe botën mbarë.
Lufta kundër COVID-19 që kërkon një sforcim të përbashkët konfirmoi dhe një herë, nëse do të jetë e nevojshme, se sa e fortë është miqësia mes Italisë dhe Shqipërisë. Në momentet më të errëta të pandemisë në Itali kemi pritur me shumë falënderim e mirënjohje ndihmat e mbërritura nga Shqipëria dhe kur qe e nevojshme, kemi dhënë dhe ne këtë ndihmë duke dërguar një skuadër operatorësh shëndetësorë nga Italia. Kjo gjë nuk na ndalon nga dëmet që kanë pësuar shoqëritë tona dhe ekonomitë tona.
Marrëdhëniet tona ekonomike tregtare tashmë janë të forta dhe sikurse është treguar nga fakti që Italia është furnitori i parë i Shqipërisë. Megjithatë, qëndrueshmëria e raporteve në marrëdhëniet tona është e tillë që ne mundet dhe duhet të bëjmë dhe më mirë. Për këtë jam veçanërisht i gëzuar të them që sot kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët për të ngritur një komision ekonomik të përbashkët, i cili do të ngrejë një forum dialogu dhe ballafaqimi për mundësi tregtare dhe investimi për të dy vendet tona, si dhe për të përballuar e për të zgjidhur pikat kritike e problematike në marrëdhëniet dypalëshe dhe ato në kuadrin ekonomik.
Është një kuadër veçanërisht premtues, padyshim, edhe ai i infrastrukturave, falë dhe planit të modernizimit të sektorit të transportit, të miratuar nga qeveria shqiptare, gjë e cila vendoset në një vizion bashkëpunimi me planin për zhvillimin ekonomik dhe të investimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, të paraqitur nga Komisioni Europiain në tetor.
Një aspekt tjetër i lidhur me përforcimin e marrëdhënieve tona ekonomike e tregtare, të cilin e kemi shumë përzemërt, është ajo e përhapjes së gjuhës italiane në Shqipëri. Prandaj shpresojmë për këtë, një prani më të madhe të arsimit italian në Shqipëri, ndoshta edhe duke e shtrirë mësimdhënien e gjuhës italiane dhe në institutet teknike dhe profesionale. Një vendim i tillë do të ishte në linjë me zgjerimin konstant të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe praninë e një linje rrjeti të gjerë të firmave italiane në Shqipëri.
Qëndrueshmëria e marrëdhënieve tona dy palëshe është reflektuar gjerësisht në fakt dhe me bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar dhe shumëpalësh. Siç njihet, Italia gjithmonë ka qenë pranë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt afrimit dhe integrimit në Bashkimin Europian dhe mbështet me bindje rrugëtimin e reformave kurajoze të brendshme, të ndërmarra nga Tirana për këtë qëllim.
Përpjekjet tona në këtë drejtim do të jenë konstante. Tani objektivi më i afërt është të punojmë që të thirret konferenca e parë ndërqeveritare, qoftë me Shqipërinë, qoftë me Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht kësaj ndalese të regjistruar, do të nxisim sa më shpejt këtë mbledhje përsa i përket konferencës që përmenda. Pavarësisht ndalesës që pati këtë javë në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, ne mbetemi të vendosur për të arritur objektivat tona brenda Bashkimit Europian që të fillojmë konferencën, pra, për rrugëtimin e vetëm për zgjerimin e Bashkimit Europian me Shqipërinë.
Me Kryeministrin folëm dhe për çështje të tjera, të cilat janë të lidhura me pandeminë, me bashkëpunimin për vaksinat, por dhe investimet në mënyrë që të dalim nga një vështirësi ekonomike e vendeve tona, që është një vështirësi në rang botëror pikërisht si pasojë e asaj çka ka ndodhur me COVID-in. Për këtë do të kemi gatishmërinë për të punuar së bashku mbi projektimin, planifikimin, mundësinë për të gjurmuar dhe planin e investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor në favor të bashkëpunimit të ndërmarrjeve tona, edhe ato publike, në planin shëndetësor për vaksinat sikurse thamë, duke parë sëbashku drejt një të ardhmeje, e cila do të jetë rozë nëse do ta përshkojmë së bashku këtë rrugë që na ndan nga normaliteti.
Unë do të doja ta përfundoja me një fjali për miqtë shqiptarë, nuk jam absolutisht i zoti të flas shqip, ashtu sikurse Kryeministri shqiptar flet italishten. “Të përbashkuar” – kjo është për sa i përket Europës së përbashkuar, pra, është një urim që  ne mund t’i bëjmë njëri-tjetrit drejt një të ardhmeje europiane.
Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politike

“Veliaj u vetëshpall Kryeprokuror i SPAK”/ Këlliçi: Deklarata që kërkon sqarime nga Dumani

Anëtari i Kryesisë së PD-së Belind Këlliçi, përmes një deklarate për mediat, ka komentuar intervistën e djeshme të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në një prej televizioneve të tij, ku përmes propagandës tentoi të mbulojë aferat korruptive në Bashki dhe deklaroi se do të shkojë vetë të jap sqarime në SPAK.

Këlliçi deklaroi nga selia blu se kryelajm i vetëm i daljes televizive të Veliajt kishte vetëshpalljen e tij si kryeprokuror i SPAK.

Ish-deputeti demokrat shtoi më tej se në monologun 30 minutësh, Veliaj bëri një deklaratë që shemb në tokë drejtësinë e re, deklaratë e cila do duhet të sqarohet menjëherë nga SPAK dhe drejtuesi i saj, Altin Dumani.

Sipas Këlliçit, Veliaj deklaroi se nuk do priste postën, por do ishte proaktiv sipas këshillës së Altin Dumanit dhe do të shkonte vetë në SPAK, por thjeshtë do duhej vetëm të rakordonte ditën dhe orën.

Këlliçi u shpreh se ka pritur që kreu i SPAK, Altin Dumani të sqaronte se ku e dinte Erion Veliaj që do të pyetej nga prokurorët dhe të sqaronte komunikimet private me Veliajn, bazuar në vetë qëndrimet e djeshme të këtij të fundit.

Sipas ish-deputetit demokrat, pohimi nëpërmjet heshtjes që po i bën Altin Dumani deklaratave të Erion Veliajt, është një këmbanë alarmi për çdo qytetar shqiptar dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët do ishte mirë që të shqetësohen për guximin që gjen Kryetari i Bashkisë Tiranë, për të urdhëruar publikisht Altin Dumanin dhe SPAK-un, për mënyrën sesi duhet të veprojnë ndaj tij.

DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD-së, BELIND KËLLIÇI;

Ditën e djeshme në televizionin që paguhet me paratë e inceneratorit të Tiranës, u shfaq pronari faktik i inceneratorit, Erion Veliaj, i cili kryelajm kishte vetëshpalljen e tij si kryeprokuror i SPAK.

Hajduti i bashkisë doli dje në media, për të mbuluar me propagandën e tij boshe vjedhjen marramendëse që ai, së bashku me organizatën e tij kriminale 5D i kanë bërë buxhetit të Bashkisë Tiranë në pothuaj 1 dekadë.

Doli ti kujtonte SPAK-ut se kishte qenë bashkëpunues me ta që ditën e pare, pasi ishte i vetmi që i dhuroi godinën që prokurorët të punonin në kushte modern, e këtë e mundësoi me firmën e Mollës së tij, të cilin e kalbi në burg me duart e veta.

Por në monologun 30 minutësh, Erion trimi që fshihet pas dasmës 500 milionëshe me pensionin e mamit, bëri një deklaratë që shemb në tokë drejtësinë e re, deklaratë e cila do duhet të sqarohet menjëherë nga SPAK dhe drejtuesi i saj, Altin Dumani.

Pronari faktik i incenratorit të Tiranës, deklaroi se nuk do priste postën, por do ishte proaktiv sipas këshillës së Altin Dumanit dhe do të shkonte vetë në SPAK, por thjeshtë do duhej vetëm të rakordonte ditën dhe orën.

Pas kësaj deklarate bombë, prita që SPAK dhe Altin Dumani, i cituar nominalisht nga kreu i bandës 5D Erion Veliaj, të reagonte për të sqaruar dakortësinë e arritur me të, për tu marrë në pyetje.

Prita që SPAK dhe Altin Dumani, të sqaronin se ku e dinte Erion Veliaj që do të pyetej nga prokurorët.

Prita që SPAK dhe Altin Dumani, të sqaronin komunikimet private me pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, bazuar në vetë qëndrimet e djeshme të këtij të fundit.

Brenda 72 orëve vetë Edi Rama dhe Erion Veliaj, kanë faktuar se të ashtuquajturat organet e reja të drejtësisë, nuk janë asgjë më shumë sesa një zgjatim i paradhomës së Kryeministrit apo të Kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Pohimi nëpërmjet heshtjes që po i bën Altin Dumani deklaratave të Erion Veliajt, është një këmbanë alarmi për çdo qytetar shqiptar dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët do ishte mirë që të shqetësohen për guximin që gjen Kryetari i Bashkisë Tiranë, për të urdhëruar publikisht Altin Dumanin dhe SPAK-un, për mënyrën sesi duhet të veprojnë ndaj tij.

Partnerët ndërkombëtarë, do bënin mirë të shqetësoheshin e të flisnin një herë të vetme për aferat korruptive të shekullit, të kryera nga Erion Veliaj dhe grupi i tij i strukturuar kriminal 5D.

Duke nisur nga vjedhja e 130 milionë eurove në inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston, vjedhja e 60 milionë eurove përmes depozitimit të dherave në landfillin e Sharrës dhe vjedhjen e të paktën 30 milionë eurove, përmes 45 tenderave të kryera nga shtabi i tij elektoral i 14 Majit 2023.

Gjej rastin sërish të ftoj qytetarët e Tiranës, ditën e martë, më datë 30 Prill, ora 16:30, përpara monumentit të korrupsionit më të madh në Evropë, për ta çliruar Tiranën një hërë e mirë nga ky model vjedhjeje tashmë të kthyer në sistem.

Continue Reading

Politike

Meta nga “Rruga e shpresës”: I kam thënë Ramës, Berisha është politikani më serioz

Pasi përfundoi pas mesdite Asamblenë e Partisë së Lirisë, Ilir Meta I shoqëruar nga një numër mbështetësish dhe veshur një bluzë ku shkruhej ‘Lironi liderin e opozitës’, mbërriti tek rrugica poshtë banesës së Berishës.

Ai ka thurur lavde për Berishën duke e cilësuar si njeriu që ka futur Shqipërinë në NATO dhe ka bërë dhe shumë arritje të tjera për vendin.

”I kam thënë Ramës të mos e provokojë opozitën.

I kam thënë Ramës që politikani më serioz në Shqipëri është Sali Berisha”, tha Meta.

E përshendet Berishën, duke e quajtur president i përgjithshëm.

Continue Reading

Politike

‘Lironi liderin e opozitës’/ Meta mban veshur bluzen me mbishkrimin për Berishën: Afër Zotit

Kreu i PL-së, Ilir Meta tha rrugës teksa po shkonte te banesa e liderit të opozitës, Sali Berisha, se nuk po shkonte në një ballkon, por në një podium.

Meta tha se kryeministri Edi Rama është i pashpresë, ndërsa shtoi se ndryshimi do të vijë shpejt. Kreu i PL-së, teksa po fliste për opozitën tha se Gazment Bardhi është një opozitar i vërtetë, ndërsa për Lulzim Bashën tha se “llogaritë e Shqipërisë nuk mund t’i bëjë ai faqezi.”

MetaNuk po shkoj në një ballkon, por në një podium. Ata kujtojnë se kanë izoluar Berishën, por ata e kanë ndihmuar që të jetë më afër shqiptarëve, të jetë më afër qiellit dhe më afër Zotit. Edi Rama është i pashpresë dhe ndryshimi do të vijë. Shqiptarët kanë kuptuar shumë mirë se çfarë po ndodh. Për Bashën, dihet se shtatë herë shtatë bëjnë 42, llogaritë e Shqipërisë nuk mund t’i bëjë aq faqezi. Besoj se Bardhi është një opozitar i vërtetë.

Continue Reading

Politike

Meta niset nga selia e PL drejt banesës së Berishës: Beteja me mafien është betejë për jetë a vdekje

Kreu i PL-së, Ilir Meta ashtu siçi e kishte paralajmëruar në mbyllje të Konventës Kombëtare, është nisur nga selia e PL-së, drejt banesës së liderit opozitar, Sali Berishës për t’ju bashkuar tubimit qytetar.

Teksa po ecte, Meta tha për mediat se PL ka reflektuar dhe se nga nesër do të nisë një riorganizim. Më tej shtoi se beteja me mafier është betejë për jetë a vdekje.

MetaPartia e Lirisë ka reflektuar dhe nga nesër nis një riorganizim. Beteja me mafien është betejë për jetë a vdekje. Kjo është një betejë, që ia vlen edhe të vdesësh. Prej kohësh e bëmë të qartë se do të kishim një strukturë të re. Për Vojo Kushin nuk mund të ankohet askush, ai edhe kur mbeti vetëm, kaloi në përjetësi. Nuk keni pse të keni ankesa për Vojo Kushin. Vojo Kushi është hero i popullit dhe Kryemadhi nuk mund të ketë ankesa për të. Sikur të gjithë këshilltarët e PL do të hidheshin mbi policët e regjimit, do të kishim tjetër Shqipëri. Për mua familja ka rëndësi, Shqipëria ka akoma më shumë rëndësi.

Continue Reading

Politike

Rastësi apo zgjedhje? Meta nuk e ndjek fjalimin e Kryemadhit, pamjet

Rastësi apo zgjedhje?! Ilir Meta nuk qëndroi në sallë në Konventën e Partisë së Lirisë për të ndjekur fjalimin e Monika Kryemadhit. Ai vendosi që të shkojë të votojë dhe u kthye pasi Kryemadhi mbaroi fjalën.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING