Connect with us

Lifestyle

Si ndikon lufta dhe pandemia tek të rinjtë

Ndryshimet klimatike, agresioni kundër Ukrainës dhe pandemia shkaktojnë stres të rëndësishëm psikologjik tek të rinjtë. Por ndjeshmëria ndaj krizave ofron gjithashtu mundësi.

Të rritesh në një botë digjitale nuk do të thotë thjesht të ndihmosh prindërit të përdorin teknologjinë. Kjo bën edhe që t’i përjetosh thuajse çdo sekondë në celularin tënd inteligjent fatkeqësitë e kësaj bote.

“Ne jetojmë në një vend të pasur me shumë mundësi. Shumë kriza nuk na prekin aq afër sa mendojmë ndonjëherë. Por gjithçka që ndodh, ne mund ta shohim në kohë reale. Është një përmbytje që bie mbi ne, me të cilën shumë janë të mbingarkuar “, thotë Konstantin Knorr. 17-vjeçari është i përfshirë në këshillin rinor të Fondacionit Brezat. Ai e ndalon me vetëdije vërshimin dërrmues të informacionit. Shumë të rinj kanë filluar të anashkalojnë gjithçka, mendon ai.

Shumë e përjetuan ndikimin e krizave në shëndetin e tyre mendor gjatë pandemisë. Sipas sondazhit “Jugend in Deutschland” (Rinia në Gjermani), ngarkesa mendore e të rinjve të moshës 14 deri në 29 vjeç është rritur vitet e fundit. “Veçanërisht gjatë pandemisë së koroës të rinjtë ndjenin se kishin pësuar një humbje të kontrollit,” shpjegon Klaus Hurrelmann, studiues i arsimit në Berlin.

Rritje e ngarkesës mendore

Pothuajse gjysma e të anketuarve në sondazhin e fundit në mars thanë se vuanin nga stresi. Një e treta u ankua për mungesë motivimi, rraskapitje, pafuqi dhe mungesë humori. Kjo ngarkesë e madhe është e pazakontë në këtë formë për brezin e ri, sipas Hurrelmann-it.

Te rinj ne Gjermani

Sipas një studimi të Universitetit të Lajpcigut, koha e pritjes për një vend në terapi për fëmijët dhe adoleshentët është rritur me tre deri në gjashtë muaj gjatë pandemisë. Në zonat rurale, koha e pritjes është edhe mbi një vit. Një sondazh i fondit të sigurimeve shëndetësore DAK tregon se në vitin 2021 – krahasuar me vitin 2020 – në klinika janë pranuar për çrregullime emocionale, përfshirë depresionin dhe çrregullimet e ankthit 42 për qind më shumë të rinj të moshës 12 deri në 18 vjeç.

Charlotte Schmiedel përshkruan me pak fjalë se si është të rritesh gjatë gjithë këtyre krizave: “zhgënjyese, dëshpëruese dhe e pafuqishme”. Kur angazhohen të rinjtë, kjo nuk është për hobi, por për nevojë të vërtetë, thotë 18-vjeçarja. Që në klasën e gjashtë, ajo u përfshi në politikën arsimore dhe tani përfaqëson interesat e nxënësve të qytetit hanseatik si presidente e “Dhomës së Nxënësve në Hamburg”.

Ajo kritikon se ka shumë pak mbështetje, shumë pak hapësirë ​​për të mësuar aftësi për të përballuar krizat dhe pasojat mendore. Në vend të kësaj, ka programe të reja arsimore me më shumë materiale për të mësuar.

Menaxhimi i stresit mund të mësohet

Ajo që të rinjtë duan shpesh është mbështetja sociale dhe psikologjike. Përveç kujdesit në spitale, mbi të gjitha nevojitet më shumë parandalim, si përmes qendrave rinore dhe psikologëve shkollorë, beson Christoph Correll, drejtor i Klinikës për Psikiatrinë e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në spitalin Berlin Charité. Ai drejton një studim ndërkombëtar të faktorëve të rrezikut dhe atyre mbrojtës gjatë pandemisë së kovidit.

Ajo që del nga rezultatet e hershme është se adoleshentët, ashtu si edhe të rriturit i rendisin ushtrimet fizike, pra aktivitetin fizik, si një nga strategjitë kryesore të përballimit. Por sporti nuk është e vetmja gjë që mund të ndihmojë në situata stresuese.

Mënyra se si i trajton këto kriza një person është individuale. Rezilienca – pra rezistenca psikike – ndryshon shumë, por mund të trajnohet. “Fakti që fëmijët mësojnë që në moshë të re të përballen mirë me stresin dhe situatat e vështira mund të ketë një efekt parandalues”, thotë studiuesja e elasticitetit Isabella Helmreich nga Instituti Leibniz për Kërkimin e Reziliencës në Mainz. Kjo mund të bëhet nga çerdhe, shton ajo.

Deutschland | Jugendliche mit Rucksäcken in der Innenstadt von Staufen

“Destigmatizimi i problemeve mendore”

Çdo krizë ofron gjithashtu mundësinë për ta kapërcyer atë dhe për t’u ndjerë më të fortë më pas, shpjegon psikiatri Correll, i cili shton: “Ne të gjithë jemi të prekshëm dhe kemi të drejtë të flasim për faktin se nuk jemi mirë, se nuk ndihemi mirë në shkollë dhe se e kemi të vështirë të strukturojmë veten”.

Sipas Correllit, kërkimi i ndihmës profesionale në një krizë është pjesë e shëndetit mendor, ashtu si ecja në natyrë, meditimi ose dëgjimi i muzikës. “Pandemia ka në vete edhe mundësinë për të na lejuar të destigmatizojmë problemet mendore, sepse i përket paksa të gjithëve”, thotë ai.

Situata ekonomike është përcaktuese për ndjenjën e krizës

Stresi psikologjik tashmë është i dukshëm. Kufizimet – të tilla si mbyllja e shkollave, kufizimi i kontaktit ose heqja e ofertave të kohës së lirë – kanë prekur veçanërisht ata që tashmë ishin në disavantazh social para pandemisë. “Kemi një nënton të fortë të pabarazisë sociale,” sipas Hurrelmann-it.

Sipas vlerësimeve të ekspertit të arsimit, një e katërta e të rinjve të moshës 14 deri në 29 vjeç rrezikojnë të humbasin lidhjen me shoqërinë. Pjesë e tij janë kryesisht personat me nivel të ulët arsimor dhe prindër të pafavorizuar ekonomikisht, gjë që është e lidhur ngushtë.

Shanset për trajnim dhe punësim janë vendimtare për t’i kaluar mirë këto kriza. Ne duhet të investojmë në këtë fushë. Kriza më e keqe që mund të prekë të rinjtë është gjithmonë një krizë ekonomike, thotë Hurrelmann. Situata e mirë ekonomike – edhe për faktin se të rinjtë janë kaq të kërkuar në tregun e punës – bën të mundur zbutjen pjesërisht të konstelacionit aktual të krizave.

Ndjeshmëria mund të jetë forcë

Sipas sondazhit “Jugend in Deutschland”, gjendja bazë shpirtërore e të rinjve është pozitive pavarësisht nga presionet psikologjike. Dhe të qenit i ndjeshëm ndaj krizës nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Sigurisht, ndjenja e rraskapitjes, e pafuqisë dhe e ngarkesës psikike është më e fortë tek femrat e reja, por në të njëjtën kohë janë ato që janë më aktivet, shpjegon Hurrelmann.  Kjo doli në pah në përballjen me gjendjen klimatike. “Rrallëherë e kemi parë këtë aktivizëm – domethënë reagimin konstruktiv ndaj një krize duke ndërmarrë veprime vetë – që buron kaq fuqishëm nga femrat e reja.” Është historikisht e re në këtë formë.

Të rinjtë dëshirojnë para së gjithash të merren seriozisht në politikë me propozimet e tyre. “Një pikë shumë vendimtare është të mos veprosh në kurriz të brezave të ardhshëm,” thotë Konstantin Knorr, 17 vjeç, një anëtar i këshillit rinor të Fondacionit Brezat.

Charlotte Schmiedel gjithashtu dëshiron që politika të marrë më shumë përgjegjësi. Në fund të fundit, janë të rinjtë si ajo që duhet të jetojnë me pasojat e veprimeve të brezave të vjetër./DW/

Lifestyle

Si festohen Pashkët nga çdo shenjë e zodiakut?

DASHI

Pashka, si festë, simbolizon fillimin e një epoke të re. Nuk është rastësi që e gjithë kjo përkon natyrshëm me ditëlindjen tuaj. Është koha e duhur që çdo Dash të fillojë diçka të re. Ndonjëherë një plan, projekt apo hobi mund t’ju mbushë me ankth, por shpresa dhe frymëzimi që ju jep është një vlerë… e paçmuar.

DEMI

Demi është një shenjë e Tokës dhe kontakti i tij me natyrën e bën atë të ndihet më i qetë dhe rehat. Një shëtitje në fshat, ecje, skarë apo barbeque jashtë me njerëzit e dashur është mënyra ideale për të festuar Pashkët!

BINJAKËT

Një Binjak bëhet sërish fëmijë në Pashkë! Me shenjën e tij të sunduar nga Mërkuri, zemra e tij do të mbushet me gëzim dhe për këtë arsye, ai do të mbushë me gëzim edhe ata që e rrethojnë. Madje i jepet mundësia të shkojë në ekskursionet e tij, të shoqërohet dhe të kontaktojë me shumë njerëz, gjë që i pëlqen shumë!

GAFORRE

Hëna luan një rol shumë të madh për Gaforren, pasi është edhe planeti i tij sundues, sidomos kur kemi Hënë të Plotë. Pashka për këtë shenjë, përveçse të ngarkuar emocionalisht, është edhe një festë që ai me kënaqësi e kalon me familjen (si gjithë të tjerat gjithsesi), duke respektuar zakonet tradicionale.

LUANI

Në anën e kundërt të Gaforres, është Luani, i sunduar nga Dielli. Kjo është edhe arsyeja pse Luanët ndihen shumë më bukur në ditët e Pashkëve, veçanërisht nëse është me diell. Ata kërcejnë, këndojnë, argëtohen, festojnë, me pak fjalë, me shpirt.

VIRGJËRESHA

Virgjëresha është e lidhur me Virgjëreshën Mari, ndaj Pashkët është periudha kur ana e saj femërore “zgjohet” përsa i përket lindjes dhe kujdesit. Pashkët janë një rast që çdo Virgjëreshë të kujdeset për familjen e saj, të kujdeset për shtëpinë dhe të përqendrojë vëmendjen te gratë e jetës së saj, të cilat nuk janë askush tjetër veçse gjyshja, nëna apo vajza.

PESHORJA

Hëna e parë e Plotë e Ekuinoksit të Pranverës , siç thamë më lart, zakonisht ndodh në shenjën e Peshores, kështu që Peshorja mendon se duhet të heqë dorë nga e kaluara dhe në një farë mënyre “të ecë përpara” në të ardhmen. Pra, Pashkët zakonisht bëjnë një listë të gjërave që ai dëshiron të heqë qafe dhe ai do të jetë i lumtur nëse më në fund mund t’i heqë qafe ato.

AKREPI

Ashtu si një Jezus tjetër, edhe Akrepi “ringjallet” në Pashkë! Në përgjithësi, është një kohë ndryshimi. Tani, nëse këto kanë të bëjnë me një profesion të ri, një marrëdhënie të re ose thjesht rinovimin ose rimodelimin e hapësirës së tij, kush e di?

SHIGJETARI

Pashkët mund të festohen kryesisht nga të krishterët katolikë dhe ortodoksë, por ka ende shumë kultura të largëta që kanë Pashkët e tyre “të ngjashme”. Nëse i përkisni shenjës së Shigjetarit dhe keni mundësi, bëni një udhëtim në një nga këto vende. Përndryshe, udhëtoni brenda Greqisë në një qytet apo fshat që ka zakone të veçanta!

BRICJAPI

Me hyrjen e Diellit në Dashi, Bricjapët mendojnë se është koha për të vendosur synime të reja afatgjata të vogla apo edhe madhështore. Pra, këtë Pashkë, ata janë plot energji dhe vigjilent! Megjithatë, kur vjen puna për ta festuar, ato janë si gjithmonë… klasike!

UJORI

Pashka për një Ujor është koha ideale për të hyrë në kontakt me njerëz që i bëjnë ata të lumtur! Një mbledhje familjare, një piknik, një zakon, madje edhe pjesëmarrja e tij në një grup vullnetarësh do t’i mbushin zemrën me optimizëm.

PESHQIT

Pavarësisht nëse jeni një person thellësisht fetar apo jo, Pashkët është një kohë për ndjekje të mëtejshme shpirtërore. Të mos harrojmë se ai ka një intuitë shumë të fortë dhe tërhiqet lehtësisht në një kërkim të brendshëm. Një bisedë me miqtë apo të afërmit që ai ka mundësi të takojë, këtë festë, mund ta shtyjë të zgjerojë horizontet e tij.

Continue Reading

Lifestyle

Disa rregulla që ekzistojnë për një martesë të lumtur

Edhe sinqeriteti i plotë nuk është gjithmonë opsioni më i mirë në martesë. Nuk duhet partnerit t’i rrëfeni secilin detaj nga lidhjet tuaja të mëparshme, sepse kjo kryesisht ngjall krahasime, ndërsa krahasimet nuk mund të sjellin asgjë të mirë.

Të gjithë ne, para se të lidhim martesën, nga nëna dhe gjyshja jonë kemi marrë këshilla për bashkëshortësi të mirë dhe të suksesshme. Por, a janë ato këshilla me të vërtetë të dobishme dhe a duhet në mënyrë të verbër t’i respektojmë?

Ja disa “rregulla martesore” për të cilat shumë revista për femra konsiderojnë se lirisht mund të thyhen. Një nga këshillat që është e vjetër sa edhe vetë pyetja “a është e para veza apo pula”, është këshilla që mos të shkojmë të hidhëruara në krevat.

Është e vërtetë se përderisa grindemi gjatë kohës kur na merr gjumi, kur jemi të lodhura ose nën stres, asgjë e mirë nuk mund të dalë nga ajo grindje.

Nëse jeni në gjendje të dakordoheni se nuk pajtoheni dhe të shkoni në gjumë, e grindjen ta lini kur të jeni më të pushuar dhe me kokë të ftohtë. Edhe sinqeriteti i plotë nuk është gjithmonë opsioni më i mirë në martesë.

Nuk duhet partnerit t’i rrëfeni secilin detaj nga lidhjet tuaja të mëparshme, sepse kjo kryesisht ngjall krahasime, ndërsa krahasimet nuk mund të sjellin asgjë të mirë.

Kur janë në pyetje pushimet, kryesisht rekomandohet që kohën e lirë ta kaloni njëri pranë tjetrit, por problemi mund të krijohet në atë moment kur ju dhe partneri juaj keni komplet kuptime të ndryshme për pushimin. Ju dëshironi të hulumtoni, ai dëshiron të qëndroni në një vend, ju dëshironi në mal, ai në det…

Në këto raste ndoshta është mirë që nganjëherë në pushime të shkoni ndaras, secili në anën e vetë, por jo gjithmonë.

Fëmijët

Një nga gabimet më të shpeshta të çifteve në martesë është ajo që lidhjen e tyre e anashkalojnë sapo arrijnë fëmijët në shtëpi. Nëse në disa raste e veni lidhjen tuaj në rend të parë para fëmijëve, nuk do të thotë se jeni prindër të këqij, por përkundrazi.

Nëse në rend të parë punoni në lidhjen tuaj, kjo nuk është mirë vetëm për ju, por edhe për fëmijët tuaj, sepse rritja me prindër që duhen dhe që mirëkuptohen është një bazament i shkëlqyeshëm për një jetë të lumtur.

“Asnjëherë mos flini në krevat të ndarë” është ajo që po ashtu e dëgjojmë nga ana e atyre që kanë përvojë më të madhe në martesë. Por nëse partneri juaj gërhet me të madhe, rrotullohet ose tërë natën shikon TV, derisa ju përpiqeni të flini, ndoshta në këto raste është më mirë të flini në krevat të ndarë, por të mos lejoni që kjo t’ju ndikojë në jetën seksuale dhe afërsinë fizike.

Edhe për fund, nuk e keni patjetër që çdo çast ta kaloni së bashku. Ideale do të ishte opsioni që të kishit interesime të përbashkëta, por nëse burri juaj do të merret me automobila, ndërsa ju dëshironi më shumë të dilni në natyre – nuk duhet të humbisni guximin për këtë gjë.

Opsioni më i mirë është të shkoni dhe të bëni aktivitete të ndryshme, por po ashtu të gjeni një të përbashkët.

Nuk ekzistojnë rregulla për martesë të lumtur, përshtatni sipas afiniteteve tuaja sepse çdo lidhje, si dhe çdo njeri, është e veçantë dhe e ndryshme.

Continue Reading

Lifestyle

Mungesa e gjumit dhe lidhja e tij me depresionin/ Gjithçka që duhet të dini

Mungesa e gjumit është treguar se dëmton funksionin e sistemit imunitar. Shqetësimet e shëndetit mendor, të tilla si depresioni , janë të lidhura fort me cilësinë e dobët të gjumit dhe çrregullimet e gjumit.

Një studim me 2672 pjesëmarrës zbuloi se ata me ankth dhe depresion kishin më shumë gjasa të raportonin rezultate më të dobëta të gjumit sesa ata pa ankth dhe depresion.

Kur jemi të lodhur, aftësia jonë për t’u përqëndruar në detyrat, reflekset dhe kohën e reagimit zvogëlohet.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportojnë se 1 në 25 njerëz ka rënë në gjumë në timon gjatë vozitjes. Ata që flinin më pak se 6 orë kishin më shumë gjasa të binin në gjumë gjatë vozitjes.

Një studim i vitit 2018 zbuloi se njerëzit që flinin 6, 5, 4 ose më pak se 4 orë kishin një rrezik për të shkaktuar një aksident automobilistik që ishte përkatësisht 1.3, 1.9, 2.9 dhe 15.1 herë më i lartë. Ky studim sugjeron që rreziku juaj për një aksident automobilistik rritet ndjeshëm me çdo orë gjumi të humbur.

Në studime të tjera, njerëzit me çrregullime të gjumit gjithashtu raportojnë shkallë më të lartë të depresionit.

Nëse keni probleme me gjumin dhe vini re se shëndeti juaj mendor është përkeqësuar, është e rëndësishme të flisni me profesionistin tuaj të kujdesit shëndetësor.

Continue Reading

Lifestyle

Ja çfarë i ndodh trupit gjatë fluturimit me aeroplan

Të marrësh pushim nga puna dhe jeta e përditshme për të udhëtuar është një mënyrë mjaft e mirë për ta rifreskuar mendjen dhe trupin, por nëse keni për të bërë një udhëtim të gjatë me aeroplan, atëherë duhet t’i dini disa rreziqe shëndetësore që shkaktohen nga fluturimi

Një infografikë e lëshuar nga Citybase Apartments tregon se çfarë ndodh saktësisht në trupin tuaj gjatë fluturimit.

Fryrje, të ftohtë, rrahje të parregullt të zemrës dhe një rritje të rrezikut të prishjes së dhëmbëve janë vetëm disa nga sëmundjet për të cilat duhet të përgatiteni para fluturimit tuaj të ardhshëm.

Grafika tregoi gjithashtu se të çoheni në këmbë dhe të bëni zgjatje gjatë fluturimit ndikon që të mos i përjetoni problemet e cekura.

Goja: Atmosfera në kabinë do t’ju dehidratojë në mënyrë natyrale, dhe sigurisht, kjo përkeqësohet nëse pini alkool gjatë fluturimit.

Zemra: Disa udhëtarë mund të vuajnë nga ‘aritmia’, një çrregullim i rrahjes së zemrës. Kjo ndodh sidomos tek ata që kanë shtypje të lartë të gjakut ose që kanë konsumuar kafeinë shumë ose alkool.

Stomaku: Ngjashëm me mushkëritë, stomaku do të zgjerohet në shkallë të lartë, duke shkaktuar dhimbje abdominale dhe kapsllëk. Për ta evituar këtë, qëndroni larg pijeve me gaz.

Këmbët: Të qëndrosh ulur në pozitën e njëjtë për orë të tëra jo vetëm që është e parehatshme por edhe ndikon në formimin e mpiksjeve të gjakut. Një mpiksje mund të ndalojë rrjedhjen e gjakut në këmbë, duke shkaktuar ënjtje dhe zgjerim të venave.

Veshët: Duke u nisur aeroplani, ajri në veshë mblidhet, duke formuar një vakum. Nëse tubat ‘Eustachian’ në veshë bllokohen, shkakton dhimbje në timpanin e veshit.

Hunda: Keni 100 herë më shumë gjasa që të ftoheni gjatë një fluturimi. Kjo për shkak se kabinat janë virtualisht pa lagështi, një atmosferë e përsosur për të shpërndarë grip.

Dhëmbët: Ndryshimet në presionin e ajrit mund të shkaktojnë vrima të vogla të gazit në dhëmbë dhe të ndikojnë në prishjen e tyre.

Mushkëritë: Ajri në kabinë bën që mushkëritë të zgjerohen, duke shkaktuar fryrje. Tek ata që kanë astmë, mund të ketë komplikime të tilla si dështim të mushkërive.

Continue Reading

Lifestyle

A e dini se edhe sytë “digjen” nga dielli? Çfarë duhet të bëni për t’i mbrojtur

    

Ka gjithmonë një pjesë të fytyrës suaj që nuk mbroni si duhet, sytë tuaj. Gjatë dhe pas pushimeve të verës, shumë njerëz ankohen për probleme të syve dhe shikimit. Mjaft persona përjetojnë shqetësime sikur kanë copëza prej qelqi në sytë e tyre. Këto janë shenja që sinjalizojnë fotokeratitin. Fotokeratiti është në thelb një djegie nga dielli në pjesën e përparme të syrit tuaj, që quhet kornea.

Ashtu si djegia e lëkurës nga dielli mund të jetë e dhimbshme, fotokeratiti sjell shqetësime serioze në sy.

Përveç ndjenjës së “copëzave të xhamit”, fotokeratiti shkakton skuqje, shikim të paqartë, ndjeshmëri ndaj ndriçimit dhe në raste të rralla edhe humbje të përkohshme të shikimit. Sa më gjatë t’i ekspozoheni sytë ndaj rrezeve UV, aq më të rënda mund të jenë simptomat, thonë specialistët.

Gjendja, gjithashtu, mund të shkaktohet nga reflektimet nga dielli, kur pasqyrohet në ujë ose shkëmbinj të bardhë dhe rërë.

Për fat të mirë, dëmtimi i syve nga dielli, zakonisht nuk është i përhershëm. Njëlloj si djegiet në lëkurën tuaj, fotokeratiti zgjat vetëm për disa ditë, thonë ekspertët.

Rreziku i dëmtimit të përhershëm është i ulët nëse ekspozimi ndaj rrezeve UV është kufizuar në pjesën e përparme të syrit, te kornea.

Megjithatë, nëse ekspozimi ndaj rrezeve UV ndikon tek retina, që ndodh nëse shikoni direkt në diell, ekziston një rrezik më i madh dhe më serioz i problemeve të përhershme me shikimin.

Ndërsa sytë tuaj shërojnë nga fotokeratiti, ata mund të trajtohen duke përdorur pika të syrit, pika antibiotike, ose pomadë të rekomanduara nga një mjek okulist.

Ashtu si mbroni lëkurën tuaj nga dielli, është e rëndësishme të mbroni sytë tuaj për të parandaluar ndonjë djegie.

Ndërkohë që, pa dyshim, nuk vendosni kremin kundër djegies në sy, por duhet të lyeni gjithmonë kapakun e syve tuaj.

Një studim zbulon se njerëzit kanë tendencë të lënë pa trajtuar me krem kundër djegies rreth 10 për qind të fytyrës së tyre – duke përfshirë zonën e syve.

Lëkura e hollë dhe e ndjeshme rreth syve është zona ku ndodhin 10 për qind të rasteve të kancerit të lëkurës. Prandaj është shumë e rëndësishme të siguroheni që po mbroni të gjithë zonën e syve nga rrezet e dëmshme.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING